venerdì 29 giugno 2012

KUSH NGA NE TË DY

 
POEZI NGA MYRTEZA MARA 
Pse s’ruhesh nga dielli,
Siç ruhesh nga unë?
Kush nga ne të dy
Përvëlon më shumë?

Kur diellin ze reja,
A e ndien vetminë?
Unë të ngroh gjithë vitin,
Dielli veç një stinë!...

Tek këmbët e tua
T'mbulova me hije.
Fillove të dridheshe,
Vërtet po mërdhije?!

giovedì 14 giugno 2012

DO TE HESHT...
















NGA YMER NURKA

Do të hesht... !
Se Bota s'paska më nevojë për fjalë të urta...
Veshët i qënkan bërë si shpella lugetërish,
Të mbushura përplot me lakuriqë-dite...
Që në kulmin e dritës...
Pa pikën e frikës...
Pijnë gjakun e kafshëve të punës,
E natën e shtyjnë të shfrenuar,
Haremit dhe orgjive...
Nudo... të frikshëm, si dalldisje
E mekur dordolecësh...
Dhe ditën me buzët tërë gjak...
Japin leksione me kode shurdh-memecësh...

Do të hesht... !

Se bota s'paska më nevojë për vargje poetësh
Veshët e saj të stërmëdhenj, qënkan mbushur përplot
Me dyllë sklerotik, që matrapazët ua shesin
Për qirinj  pelegrinëve pa udhë... e pa shpresë...

Oh po sytë e saj, po sytë....!

Mbuluar nga perde dërdëllitjesh predikuesish...
Që djajtë të fluturojnë të lirë në mesin e ditës...
Dhe ëngjëjt e çoroditur të flenë... të drobitur nga magjitë,
Të lodhur nga overdozat e pabesa, krahët mos t'u binden...

Ja dhe „superzotat„ vdekatarë!
Ata që zgavrat e Botës
I kane kthyer në artopolantë shurdhonjës, duke zhurmuar....
Për të drejta njerëzish, dhe këmbim moralesh,
Se gjoja problemi më i madh i kohës
Nuk qënka injoranca,
Urija dhe mungesa e shpresës,
Por legalizimi i homoseksualeve...

Ej Liria e premtuar e  fjalës e vrau lirinë...!
Askush se kryqëzon poetin më për herezi... se fjalët ...
Ah fjalët e tij,  nuk kanë më fuqi të bindin askënd....
Kësaj bote te mbushur me askushë...
Të drejtë paskan tingujt të kumbojnë mbi kambanë...
-Po veshët ku janë...?!
-Po veshët ku janë...?!

Do të lexohen përsëri vargjet e poetit...
Me tinguj metalikë, si zëri i robotëve,
Do të lexohen poetët derisa të heshtin,
Përgjithmonë të heshtin...
Mbytur  nga zëri i të kotëve....

Do të pëshpëriten përsëri , përshpirtjet
Për rrugët e humbura e mundësi të nëmura,
Mbase në gjyqin e fundit do të dënohen
Të gjitha idolatritë e territ,
Përrallat e parajsës dhe portat e ferrit...
Faji do të dalë lakuriq dhe do të çohet syrygjyn, diku larg,
Shumë larg, thellë qiellit...
Mbase do ta lëmë të qelbet dhe në Tokë...
Të thahet e përthahet nga drita e molepsur e Diellit...

Mbuluar nga qefini i heshtjes së gjatë....